
Presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve se një takim mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe homologut rus, Vladimir Putin, do të organizohet “shumë shpejt”. Trump gjatë deklarimit për gazetarë më 28 tetor nuk dha një datë apo vend specifik për mbajtjen e mundshme të këtij takimi, por shtoi se “mund të bëhet shumë përparim”.
Paraprakisht ishte njoftuar se bisedime trepalëshe të nivelit teknik ishin planifikuar që të mbaheshin në pjesën e parë të nëntorit në Emiratet e Bashkuara Arabe. Deklaratat e presidentit amerikan vijnë vetëm një ditë pasi presidenti finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Store, zhvilluan një bisedë telefonike 90-minutëshe me Putinin ku diskutuan për pushtimin rus të Ukrainës. Udhëheqësit nordikë zhvilluan bisedë telefonike edhe me Zelenskyn. Në një njoftim për media, Stubb theksoi se “diskutimi ishte i hapur dhe përmbajtësor”.
“Ne jemi vende fqinje me Rusinë. Përfundimi i kësaj lufte do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë tonë dhe në atë të Evropës në tërësi. Për t’i dhënë fund luftës nevojiten diskutime të drejtpërdrejta”, shtoi presidenti finlandez.
Më 20 tetor, Gahr Store mirëpriti në Oslo Zelenskyn, të dërguarin e posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff, dhe disa zyrtarë evropianë, në përpjekje për të siguruar që vendet evropiane të kenë rol në negociatat për përfundimin e pushtimit rus të Ukrainës. Ky shtim i aktivitetit diplomatik perëndimor vjen pasi Putin propozoi më herët gjatë tetorit një samit trepalësh me Shtetet e Bashkuara dhe udhëheqësin kinez, Xi Jinping, që do të mbahej nga fundi i vitit, me synimin për t’i dhënë fund luftës.
Armëpushimi në Oleshki
Ndërkaq, Ukraina dhe Rusia konfirmuan se nuk ka pasur shkelje të armëpushimit lokal, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në zonën përreth qytetit në jug të Ukrainës Oleshki, të pushtuar nga Rusia, gjatë 30 orëve të para të zbatimit të tij.
Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, hyri në fuqi në orën 03:00 sipas kohës lokale, më 27 tetor, dy ditë para afatit të planifikuar, “për të mbrojtur sigurinë e civilëve dhe për të lehtësuar dërgimin e ndihmave thelbësore humanitare”, tha ajo në një postim në X.
Ukraina dërgon ushqime me dronë për banorët e uritur nën okupimin rus
Zonja e parë, Melania Trump, shtoi se zona gjeografike ku zbatohet armëpushimi “është zgjeruar përtej Oleshkit, brenda rajonit të Hersonit, për të siguruar kalim të sigurt për autokolonat humanitare”.
Armëpushimi do të mbetet në fuqi deri më 1 nëntor, për t’u mundësuar banorëve që të evakuohen nga qyteti në vijën e frontit, ku përkeqësimi i kushteve ua kishte pamundësuar shumë prej tyre largimin./REL