Investimi tek të rinjtë dhe fuqizimi i potencialit të tyre mbetet një shtyllë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë, në këtë kuadër, projekti Vlora Marina ka ndërmarrë një nismë në mbështetje të arsimit, duke akorduar bursa studimi për dy studentë ekselentë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë.
Përfitues të bursës janë Ruben Gjonezelaj dhe Maldi Budlla, të cilët ndjekin studimet në ciklin Master, respektivisht në programet Administrim Biznesi dhe Financë.
Ceremonia e ndarjes së bursave u zhvillua në ambientet e Universitetit, me praninë e Zv rektores së Universitetit Znj. Frosina Londo, studentëve dhe administratorit të projektit Vlora Marina, Ervin Bacaj. Gjatë aktivitetit Bacaj, vlerësoi angazhimin dhe rezultatet akademike të studentëve, duke theksuar rëndësinë që Vlora Marina i kushton investimit tek njerëzit dhe brezi i ri.
"Ky program bursash është një mbështetje konkrete për Vlorën. Kjo është një mënyrë për të inkurajuar të rinjtë që përmes dijes dhe përkushtimit të tyre të kontribuojnë në zhvillimin e qytetit dhe të vendit. Ne besojmë se investimi tek arsimi dhe tek talentet e reja është investimi më i vlefshëm për të ardhmen.
Kjo filozofi reflektohet edhe në vetë vizionin e projektit Vlora Marina, i cili, përtej transformimit urban dhe zhvillimit të turizmit, synon të krijojë ndikim afatgjatë në ekonominë dhe komunitetin lokal. Pikërisht për këtë arsye, mbështetja e arsimit, kulturës, aktiviteteve sociale dhe promovimi i të rinjve të talentuar mbetet një nga prioritetet tona kryesore”, u shpreh Bacaj.
Ai shtoi më tej se synimi i projektit është që kjo mbështetje të mos mbetet vetëm simbolike, por të shoqërohet edhe me mundësi konkrete për të rinjtë, përmes punësimit apo zhvillimit të praktikave profesionale pranë ekipeve të Vlora Marinës. Vlora Marina do të krijojë mundësi të shumta punësimi për qytetin e Vlorës, në fusha si financa, administrimi, marketingu, hoteleri turizmi, shërbimet detare dhe menaxhimin operacional. Përmes këtyre iniciativave, projekti synon jo vetëm të fuqizojë profesionalisht brezin e ri, por edhe të kontribuojë në krijimin e një kulture moderne pune, duke integruar talentet e reja në një mjedis profesional që reflekton standardet më të mira ndërkombëtare.
Ndërsa zv/rektorja e Universitetit “Ismail Qemali”, znj. Frosina Londo, shprehu mirënjohjen për këtë iniciativë dhe e cilësoi atë si një shembull pozitiv të bashkëpunimit mes sipërmarrjes private dhe institucioneve të arsimit të lartë në funksion të zhvillimit të të rinjve dhe përmirësimit të sistemit arsimor.
Pas ceremonisë, studentët zhvilluan një vizitë në zyrat e shitjes së projektit Vlora Marina, ku u njohën më nga afër me vizionin dhe konceptin e zhvillimit të këtij projekti. Vizita vijoi më pas në kantierin e ndërtimit, ku ata panë nga afër ecurinë e punimeve dhe transformimin që projekti pritet të sjellë në qytetin bregdetar.
Vlora Marina është një zhvillim modern në zemër të qytetit të Vlorës, i cili do të sjellë marinën e parë të klasit botëror në Shqipëri, me mbi 400 vende ankorimi për jahte dhe mega-jahte, rezidenca premium buzë detit, hapësira shërbimi dhe nje komunitet dinamik. Projekti synon të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë blu, fuqizimin e turizmit elitar, transformimin e Vlorës në një destinacion modern mesdhetar si dhe gjenerimin e shumë vendeve të reja të punës, duke krijuar mundësi të reja punësimi dhe zhvillimi profesional për komunitetin lokal dhe brezin e ri.