
TIRANË- Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka kërkuar sqarime se cila është paga që duhet tu aplikohet gjyqtarëve nga 1 gushti, pas shfuqizimit të formulës së mëparshme nga Gjykata Kushtetuese. Sadushi ka argumentuar se administrata nuk mund të vijojë të zbatojë një formulë pagash që është shpallur antikushtetuese.
Sipas tij, pas përfundimit të afatit për ndryshimet ligjore, duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe paga e re referuese. Kreu i Gjykatës së Lartë ka kundërshtuar gjithashtu argumentin se mungesa e fondeve në buxhet mund të pengojë zbatimin e vendimit.
Ai thekson se sigurimi i fondeve është çështje e ekzekutimit financiar dhe nuk mund të përdoret si arsye për mosrespektimin e një detyrimi kushtetues. Sipas Gjykatës së Lartë, nga 1 gushti paga referuese bazë llogaritet mbi pagën e pozicionit prej 222 425 lekësh dhe shtesën e nivelit të kualifikimit prej 14 000 lekësh, në total 236 425 lekë.
"Këtu lind një pyetje e thjeshtë, por e pashmangshme: çfarë norme duhet të zbatojë sot administrata e shtetit? A mund t’i kërkohet një institucioni të Republikës që, pas datës 31 korrik, të vazhdojë të zbatojë pikërisht formulën, që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar si antikushtetuese? Një normë e shfuqizuar nuk mund të rikthehet në fuqi përmes mosveprimit dhe as të mbahet në jetë përmes një praktike administrative. Dhe nëse formula e vjetër nuk mund të zbatohet më, atëherë pyetja që shtrohet është po aq e drejtpërdrejtë: cila është paga që autoritetet ekzekutive u njohin gjyqtarëve të Republikës nga data 1 gusht 2026 deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri dhe që administrata shtetërore ka detyrimin të përmbush?
Mosveprimi i Kuvendit brenda afatit nuk mund të ketë si pasojë që gjyqtari të mbetet pa një pagë të përcaktuar. Deri në hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, garancia kushtetuese e pagës mbetet plotësisht e zbatueshme dhe neni 138 i Kushtetutës vijon të prodhojë të gjitha efektet e tij. Të pranohej e kundërta, do të thoshte t’i njihej mosveprimit të ligjvënësit një fuqi që nuk mund ta ketë: të pezullonte një garanci kushtetuese dhe të pengonte zbatimin e një vendimi përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Në një shtet të së drejtës, paga e një funksionari nuk është akt bujarie i atij, që administron fondet publike. Buxheti i shtetit është instrumenti financiar i Republikës dhe duhet t’i shërbejë funksionimit të të gjitha pushteteve të saj. Atë që ligji e njeh si detyrim, buxheti duhet ta bëjë të realizueshme. E drejta e gjyqtarit për pagë nuk lind nga buxheti. Ajo buron nga Kushtetuta dhe ligji. Mungesa e planifikimit mund të kërkojë rishpërndarje fondesh, shtesë financimi, apo rishikim buxheti, por nuk mund ta shndërrojë një detyrim kushtetues në detyrim fakultativ. Në një shtet të së drejtës nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin, por është buxheti që duhet të përshtatet për të bërë të mundur zbatimin e Kushtetutës. Procedurat buxhetore duhet ta realizojnë këtë detyrim, jo ta neutralizojnë atë.
Prandaj, paga e gjyqtarit nuk mund të trajtohet si një e ardhur e zakonshme buxhetore. Ajo është pjesë e statusit të tij kushtetues dhe përbën një garanci konkrete të pavarësisë në ushtrimin e funksionit. Paga nuk është një shpërblim, që jepet sipas vlerësimit të ekzekutivit dhe as një instrument që mund të përdoret për të ndikuar mbi gjyqësorin, apo për të shprehur qëndrimin ndaj vendimmarrjes së tij. Kjo garanci nuk mbron vetëm gjyqtarin si individ. Ajo mbron, para së gjithash, qytetarin, i cili duhet të ketë sigurinë se çështja e tij do të gjykohet nga një gjyqtar i pavarur nga çdo pushtet tjetër", tha Sadushi.