
Pentagoni i ka kërkuar industrisë amerikane të mbrojtjes të përshpejtojë në mënyrë drastike prodhimin dhe furnizimin me armë, pasi lufta me Iranin ka shkaktuar një konsum të madh të municioneve dhe ka reduktuar ndjeshëm rezervat amerikane.
Sipas një memorandumi të Departamentit të Mbrojtjes, të siguruar nga “The Washington Post”, kompanitë e industrisë së mbrojtjes kanë 21 ditë kohë për të paraqitur plane konkrete për përshpejtimin e dorëzimeve dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese për sistemet që konsiderohen kritike.
Zëvendëssekretari i Mbrojtjes, Steve Feinberg, u ka bërë të qartë drejtuesve të industrisë se ritmet aktuale nuk janë më të mjaftueshme.
“Ciklet e zhvillimit shumëvjeçar nuk janë të pranueshme”, thuhet në memorandum, ku kërkohet një përshpejtim i menjëhershëm i programeve dhe zgjerim i kapacitetit prodhues.
Lufta me Iranin ka konsumuar sasi të mëdha të municioneve amerikane. Sipas të dhënave të cituara nga “The Washington Post”, vetëm në muajin e parë të konfliktit SHBA-të përdorën më shumë se 850 raketa lundruese Tomahawk, mbi 1,000 interceptorë Patriot dhe THAAD, si dhe më shumë se 1,300 raketa balistike taktike.
Një analizë e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) vlerëson se rezervat globale amerikane të raketave Patriot kanë rënë nga rreth 2,200 para luftës në më pak se 827, ndërsa rezervat e THAAD kanë zbritur nga 452 në më pak se 278.
Këto shifra kanë rritur shqetësimin në Pentagon për aftësinë e SHBA-së për të përballuar një konflikt të zgjatur, ndërkohë që duhet të ruajë kapacitete për skenarë të tjerë të mundshëm në Evropë dhe Indo-Paqësor.
Presion mbi industrinë e mbrojtjes
Memorandumi i Feinberg është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të administratës amerikane për të transformuar mënyrën se si Pentagoni blen dhe prodhon armë.
Në muajt e fundit, Departamenti i Mbrojtjes ka lidhur marrëveshje kornizë me kompani të mëdha dhe startup-e të sektorit të mbrojtjes për të rritur prodhimin e municioneve me kosto të ulët, por edhe të sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore.
Në fokus janë veçanërisht raketat interceptuese PAC-3 dhe THAAD. Pentagoni i ka dhënë Lockheed Martin një kontratë me vlerë deri në 58.6 miliardë dollarë, me synimin për të trefishuar prodhimin e raketave PAC-3 deri në vitin 2030.
Administrata Trump po kërkon gjithashtu që kompanitë kryesore të industrisë së mbrojtjes të ushtrojnë presion mbi Kongresin për rritjen e fondeve ushtarake.
Mes kompanive të përfshira janë Lockheed Martin, Northrop Grumman, Boeing, Anduril dhe Palantir.
Problemi: fondet nuk janë ende të garantuara; Një prej pengesave kryesore mbetet financimi.
Marrëveshjet kornizë të nënshkruara nga Pentagoni nuk përbëjnë domosdoshmërisht kontrata përfundimtare. Ato shprehin synimin për blerje, por zbatimi i tyre varet nga fondet që duhet të miratohen nga Kongresi.
Analisti Tom Karako i CSIS e përshkroi këtë si një nga problemet kryesore të sistemit aktual: shumë nga marrëveshjet ekzistuese nuk janë ende porosi të financuara.
Situata është komplikuar më tej nga debati politik në Kongres rreth projektligjit të mbrojtjes, i cili parashikon rreth 1.15 trilion dollarë shpenzime.
Pentagoni kërkon një model të ri
Në memorandumin e tij, Feinberg ka identifikuar edhe disa programe që duhet të përshpejtohen në vitin fiskal 2028. Mes tyre janë një sistem i gjeneratës së ardhshme për interceptimin e raketave, NASAMS, radarë të lëvizshëm për mbrojtjen ajrore, një program i avancuar trajnimi për pilotë dhe një sistem hapësinor për gjurmimin e raketave.
Pentagoni po kërkon që kompanitë të investojnë paraprakisht në kapacitete dhe objekte të reja, duke ofruar në këmbim perspektivën e porosive afatgjata dhe me volum të lartë.
Disa kompani tashmë kanë nisur të financojnë me fondet e tyre zgjerimin e prodhimit, por kjo mbart rrezik për kompanitë e listuara në bursë, pasi investimet bëhen përpara se financimi qeveritar të jetë i garantuar.
Në thelb, mesazhi i Pentagonit është i qartë: SHBA-të nuk duan më të presin vite për të prodhuar armët që u nevojiten sot. Lufta me Iranin ka ekspozuar kufizimet e bazës industriale amerikane të mbrojtjes dhe administrata Trump po kërkon ta transformojë atë me ritme shumë më të shpejta.