
IRAN- Mohsen Rezaei, ish-kreu i Gardës Revolucionare, është emëruar në drejtimin e Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit. 71-vjeçari është një prej figurave të njohura të regjimit iranian dhe kërkohet nga Interpol për rolin e dyshuar në bombardimin e qendrës hebraike AMIA në Buenos Aires, në vitin 1994, ku humbën jetën 85 persona.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, emërimi i Rezaeit vjen në një periudhë të tensionuar për Iranin, pas ndryshimeve të fundit në nivelet e larta të sigurisë së vendit. Ai zëvendëson Mohammad Baqer Zolghadr, i cili është emëruar këshilltar politik i udhëheqësit suprem iranian. Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare është një nga organet më të rëndësishme të Iranit për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.
“Pas dorëheqjes së Mohammad Bayer Zolghandr si sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare dhe emërimit të tij në detyra të reja, Presidenti Masoud Pezheskian emëroi Mohsen Rezaei si kreun e këtij organi ”, shkroi zëdhënësi i presidentit iranian Mehdi Tabatabai në X.
Vija e ashpër në Ngushticën e Hormuzit
Më herët këtë muaj, Rezaei tha se Irani nuk do të lejonte kurrë krijimin e një rruge të paautorizuar përmes Ngushticës së Gjirit. Në korrik, ai madje theksoi se kontrolli i Ngushticës ishte më i rëndësishëm se dhjetëra bomba atomike, duke iu referuar programit bërthamor të Iranit, i cili është gjithashtu një nga çështjet qendrore në luftë.
I kërkuar nga Interpoli për sulmin ndaj AMIA-s
Rezaei udhëhoqi Gardën Revolucionare nga viti 1981 deri në vitin 1997, një periudhë që përfshiu pothuajse të gjithë Luftën Iran-Irak. Më pas ai mbajti një sërë pozicionesh të larta politike, së fundmi duke shërbyer si këshilltar ushtarak i Ajatollah Mojtaba Khamenei.
Gjatë kohës së tij në krye të Gardës Revolucionare - të cilën SHBA-të e kanë shpallur një organizatë terroriste ai dyshohet se ishte i përfshirë në sulmin e vitit 1994 ndaj AMIA-s. Një gjykatë argjentinase vendosi që bombardimi u krye nga anëtarë të Hezbollahut dhe ishte planifikuar dhe financuar nga Irani. Shpërthimi vrau 85 persona dhe plagosi qindra të tjerë.
Hetuesi kryesor për sulmin ndaj AMIA-s, Alberto Nisman, i cili u gjet i vdekur në vitin 2015, kishte arritur në përfundimin se vendimi për të kryer sulmin u mor në një takim të Komitetit të Operacioneve Speciale të udhëheqjes iraniane më 14 gusht 1993, në Mashhad . Në aktakuzën që ai hartoi në vitin 2006 për rastin, Nisman emëron Udhëheqësin e atëhershëm Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si kreun e këshillit dhe deklaron se vendimi përfundimtar për të sulmuar AMIA-n u mor nga ai dhe Presidenti i atëhershëm Ali Akbar Hashemi Rafsanjani.
Sipas aktakuzës, Byroja e Inteligjencës dhe Sigurisë, e kryesuar nga Rafsanjani, planifikoi dhe organizoi sulmin. Rezaei, si kreu i Gardës Revolucionare dhe anëtar i organizatës, dyshohet se mori pjesë në planifikim. Aktakuza e Nisman gjithashtu thotë se përfshirja e Rezaei-t u shtri deri në fazën e zbatimit të sulmit.
"Njoftim i Kuq" për gati dy dekada
Rezai është kërkuar nga Interpoli për gati dy dekada për rolin e tij të dyshuar në bombardim. Ai ka qenë në listën e Njoftimit të Kuq që nga viti 2007, dhe kërkesa të ngjashme janë lëshuar për pesë iranianë të tjerë dhe një libanez. Në vitin 2022, Argjentina i kërkoi Katarit të arrestonte Rezain ndërsa ai ishte në vendin e Gjirit, por Doha nuk e ka arrestuar atë.
"Akuza kundër tij rrjedh nga pjesëmarrja e tij e provuar në takimin gjatë të cilit u mor vendimi për të kryer sulmin në selinë e AMIA-s", tha gjykatësi federal argjentinas Daniel Rafecas në një letër zyrtare drejtuar Katarit.
Më herët atë vit, paraqitja publike e Rezait në inaugurimin e presidentit të Nikaraguasë kishte provokuar një reagim të fortë nga Argjentina. Ministria e Jashtme e vendit e kishte përshkruar praninë e tij si një fyerje për drejtësinë argjentinase dhe për viktimat e sulmit brutal terrorist në kryeqytetin e vendit.