
FRANCË- Një shqiptar është arrestuar në Francë. Ai u arrestua nga autoritetet franceze, pasi u kap duke transportuar 33 kilogramë lëndë narkotike, kokainë. Gjatë seancës gjyqësore ai ka deklaruar se i kishte hyrë kësaj rruge, për të mbuluar shpenzimet mjeksore të së ëmës, e cila trajtohej për kancer. Mediat franceze shkruajnë se në përfundim të gjykimit, shqiptari u dënua me 1.3 milionë euro gjobë.
30 “bukë” kokaine të zbuluara në një valixhe. Një sekuestrim i rëndësishëm prej gjithsej 33 kg, i realizuar nga doganierët e Nîmes në Francë më 19 nëntor, në pikën e pagesës së autostradës në Vergèze. Shoferi? Një shqiptar 34-vjeçar, i cili dyshohet se ishte punësuar nga një tjetër shqiptar për të kryer këtë transport droge.
Një plan i mirëorganizuar
Sipas drejtueses së trupit gjykues, Gwenawlle Le Flo, bëhet fjalë për një trafikim të mirëorganizuar. Ajo rindërton etapat e këtij trafiku. E para: udhëtimi me avion nga Shqipëria në Spanjë, i rezervuar nga vetë i pandehuri me paratë e tij. Ndërkohë, rezervimi i apartamentit Airbnb në Barcelonë dhe i makinës me të cilën u bë udhëtimi drejt Lionit, u kryen nga një person i tretë. Një porositës, identitetin e të cilit i pandehuri refuzon ta zbulojë, nga frika e hakmarrjes.
“Pse qëndruat tre ditë në Barcelonë?”, e pyet gjyqtarja.
“Prisja që malli të ishte gati. Një person duhej të më dërgonte një mesazh dhe të më sillte makinën në Spanjë. Më pas duhej të shkoja rreth 70 km larg Tuluzës që të më dorëzonin valixhen”, shpjegon ai në gjykatë, përmes përkthyesit. Kryetarja përmend edhe udhëtime të tjera të ngjashme, pa ia atribuuar megjithatë drejtpërdrejt të pandehurit.
“Nëna ime është më e rëndësishme”
Vetëm misioni i 19 nëntorit i ngarkohet atij. Një transport për të cilin duhej të fitonte 3.000 euro, që sipas tij do të shërbenin për të financuar trajtimin mjekësor të nënës së tij, e sëmurë me kancer.
“A ishit në dijeni të rreziqeve që po merrnit?”, e pyet drejtuesja e trupit gjykues.
“Po, por nëna ime është më e rëndësishme. Doja t’i shpëtoja jetën”, përgjigjet ai nga banka e të akuzuarve.
Prokurori Arnaud Massip kërkon 4 vite burg, nga të cilat një vit me kusht, me urdhër ndalimi të menjëhershëm, si dhe ndalim përfundimtar për të qëndruar në territorin francez. Ai thekson veçanërisht dëmin e madh të shkaktuar nga ky importim kokaine, i vlerësuar nga dogana në 1.3 milionë euro.
“Pyetja është nëse kemi të bëjmë me një ‘mushkë’ të thjeshtë apo me një përfshirje më të thellë. Unë anoj drejt opsionit të dytë. Sepse, duke u nisur nga Spanja, ai zgjedh rrugën më të gjatë dhe mbi të gjitha më pak të kontrolluar. Një zgjedhje që ngre pikëpyetje për dikë që thotë se nuk ka lidhje me këtë trafik”, shpjegon ai, duke shtuar se i pandehuri është marrë edhe më parë në pyetje për çështje droge në Itali dhe në Shqipëri.
1.3 milionë euro gjobë
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës, Marc Roux, relativizon këtë “të kaluar”. “Ai ka shpjeguar se është marrë në pyetje në këto çështje, por në asnjë rast nuk është dënuar”, thekson ai.
Ai këmbëngul në përfshirjen minimale të klientit të tij, i cili ka pasur vetëm rolin e një “mushke” në këtë dosje. Ai kërkon gjithashtu pafajësi për përdorimin e lëndëve narkotike, si dhe për refuzimin e dhënies së kodit të telefonit, duke argumentuar se data e kësaj shkeljeje është e mëvonshme se faktet për të cilat po gjykohet.
Gjykata i pranon këto pafajësi. Për pjesën tjetër, shqiptari shpallet fajtor. Ai dënohet me 3 vite burg me urdhër ndalimi të menjëhershëm, ndalim të përhershëm për të hyrë në territorin francez dhe një gjobë prej 1.3 milionë eurosh. Droga do të asgjësohet./