
TIRANA- Kreu i Lëvizjes "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj ka reaguar me anë të rrjeteve sociale pas letrës së kandidatit Zeqir Kordhoni drejtuar Komisionit Qendror të Zgejdhjeve një ditë më parë, ku kërkon që të ushtrojë mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues.
Lapaj thotë se është angazhuar gjithë "këneta" që ai të mos shkojë në Kuvend. Ai thotë se nuk pranon shantazh e as nuk shitet. Sipas tij, Zeqiri (daja i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit shprehet se i shtru dorën e bashkimit, nuk do të marrin asnjë mandat, por maksimumi thotë se do ta ndalojnë atë të shkoj në Parlament.
Gjithashtu Lapaj shton se është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë.
Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem. Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament.
Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë. Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon!
Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta "të rinjtë", deri dhe te ky që e futa në gji...nga të gjithë. Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI! Populli do gjykojë.
Kandidati Zeqir Kordhoni, i cili ka garuar në listën e mbyllur të Nismës Shqipëria Bëhet, në një letër drejtuar Komisionit Qendror të Zgejdhjeve një ditë më parë, kërkon që të ushtrojë mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues. Kordhoni i thotë kryekomsionerit Celibashi që të injorojë çdo deklaratë tjetër të bërë nga Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet në emër të tij.
Fituese e mandatit të Nismës Shqipëria Bëhet në Tiranë aktualisht është Ana Dajko, ndërsa më i votuari nga lista e hapur është Adriatik Lapaj. Që ai të hyjë në parlament, duhet që Ana Dajko dhe 11 të tjerët e listës së mbyllur të refuzojnë mandatin.
Dy partitë “Shqipëria Bëhet” dhe “Nisma Thurje” kishin rënë dakord që deputet do të bëhej kandidat ai që merrte më shumë vota nga lista e hapur. Ndërsa ata që ishin në listën e mbyllur do të jepnin dorëheqjen.
Por tani duke se kjo marrëveshje mund të mos zbatohet, pasi kandidati i Nismës Thurje në listën e mbyllur në Tiranë, Zeqir Kordhoni vijon këmbënguljen.