
TIRANA- Deputeti i PD-së, deputeti Flamur Noka duke folur në seancën parlamentar, u shpreh se, do të sqaronte opinionin publik dhe ndërkombëtar se kritikat ndaj qeverisë nuk janë sulm ndaj Shqipërisë, por reagim ndaj një realiteti të konfirmuar edhe nga Parlamenti Europian.
Noka theksoi se opozita nuk është e vetme në denoncimin e shkeljeve të rënda ndaj demokracisë, pluralizmit dhe lirisë së medias, por është në përputhje me qëndrimet dhe vërejtjet zyrtare të BE-së.
Sipas Nokës, rezoluta e Parlamentit Europian thotë se, opozita trajtohet si armike nga mazhoranca dhe qeveria, dhe se, SPAK e GJKKO përdoren nga kryeministri Edi Rama.
Fjala e Flamur Nokës në Parlament:
Ju thoni se po dëmtojmë imazhin e Shqipërisë, por nuk jemi vetëm ne. Unë do të ju tregoj disa pika shqiptarëve sot, të projektrezoluta që është miratuar me unanimitet në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian pra, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta dhe që pritet të kalojë në seancë plenare brenda korrikut. Ne e kemi thënë që mediat u përdorën si tam tame kundër opozitës në fushatë dhe mbajtën anën e shtetit, në fushatë dhe këtë e thotë projektrezoluta e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Ajo thotë tekstualisht se: I bëjmë thirrje Shqipërisë të përshpejtojë reformat dhe të afrohet më shumë me standardet e lirisë së shprehjes, informacionit, pluralizmit dhe pavarësisë së medias.
Pra, edhe pluralizmi është thelbësor. Sjellja juaj, zonjë, përbën një alarm dhe është në kundërshtim me parimet e pluralizmit. Rezoluta bën thirrje për një dialog të mirëfilltë politik, me qëllim promovimin e stabilitetit dhe përparimit. Në vend të kësaj, ju e keni futur këtë parlament në një gjendje destabiliteti, duke mohuar çdo mundësi dialogu dhe duke e trajtuar kundërshtarin politik si armik. Këtë nuk e thotë Partia Demokratike e thotë Parlamenti Europian. Se ju opozitës vërsulni Skapin, GJKKO-n dhe të gjithë instrumentet shtetërore. Kjo është detyra juaj ndaj opozitës dhe jo dialog i mirëfilltë stabilitet politik.
Parlamenti Europian thekson në rezolutë nevojën për një mbikëqyrje efektive parlamentare mbi funksionimin e institucioneve. Këtu parlamenti siç e dimë të gjithë, parlament është shndërruar në një noter të verbër të çdo akti korruptiv apo kriminal të qeverisë. Sot, funksionon modeli i partisë-shtet, dhe parlamenti është kthyer në një vegël e partisë shtet. E njëjta rezolutë ngre shqetësime serioze edhe për balancën e pushteteve. Sipas saj, partia-shtet ka eliminuar balancën mes pushteteve, duke i përqendruar të gjitha kompetencat në duart e qeverisë.
Rezoluta e Parlamenti Europian thekson se zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis të thellësisht të polarizuar, ku garuesit nuk patën kushte të barabarta. Kjo dëshmon se shteti elektoral, krimi, kartelet, vendimet e Këshillit të Ministrave në kundërshtim me ligjin për blerjen e votës, ‘treni bullgar’, patronazhistët të gjitha këto krijuan një pabarazi të ulëritshme në këtë garë elektorale. Nuk e themi vetëm ne, e thonë eurodeputetët… Parlamenti Europian në këtë rezolutë shpreh shqetësimet se partia në pushtet, përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative. Thotë qartësisht se sulltan Surreli në Shqipëri ngriti një shtet elektoral në funksion të fitores, dhe të farsës dhe jo në funksion të qeverisjes.
Rezoluta bën thirrje për respektim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut nga ana e qeverisë. Këtu të drejtat dhe liritë janë në varësi të humorit të sulltanit. Ai cakton kush dhunohet, mbrohet, burgoset. Ai cakton karteleve porteve, tendera dhe koncensione ndërsa qytetarët e lirë, dhunohen si të ishin kriminelë. Çfarë thotë tjetër? Kujton se Shqipëria duhet të mbrojë të drejtën e pronës? Po ku është këtu e drejta e pronës. Gjipeja tokë publike u kthye tokë private e kryeministrit dhe për këtë arsye Ardit Bido një nga bekuesit e këtij transformimi të madh do të shpërblehej nga sulltani sepse pronën publike e ktheu në pronë private të sulltanit dhe e sjell këtu në parlament.
Ja pra ky është mesazhi që i jepni ju edhe shqiptarëve dhe Parlamentit Europiane. Shpreh shqetësim rezoluta për trajtimin e të dhënave personale. Është damkosje e patronazhimit tuaj, sepse ju të dhënat personale të çdo shqiptari i përdorni për votën, për efekte elektorale. Çfarë thotë tjetër? Shqetësim dhe ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Pra tregon se Rama vetë vendosë për SPAK, GJKKO-në, për çdo gjykatë dhe prokurori. Sepse besnikëria ndaj partisë dhe regjimit është mbi të gjitha dhe me këtë Parlamenti Europian fshikullon drejtësinë, si një drejtësi politike.