TIRANË- Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, ku 34-vjeçari Juxhin Hamajezi mbeti i plagosur me armë zjarri. Blutë bëjnë me dije, se kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre persona, një si autor i dyshuar dhe dy të tjerët si bashkëpunëtorë. I dyshuari në kërkim është Klodian Kallo, ndërsa dy bashkëpunëtorët janë Gjergji Lleshi dhe Lulzim Mejdani.
Po ashtu në njoftimin e policisë theksohet se Juxhin Hamajezi alias Juxhin Mumajesi është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Si rezultat i hetimeve, zbardhen autorësia dhe rrethanat e plagosjes me armë zjarri, të kryer më datë 26.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”. Identifikohen dhe shpallen në kërkim autori i dyshuar i plagosjes dhe 2 bashkëpunëtorët e tij. Gjendet dhe sekuestrohet me cilësinë e provës materiale, 1 automjet i cili është përdorur në vendngjarje.
Menjëherë pas njoftimit së një shtetas ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, rreth mesnatës së datës 26.05.2026, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 organizuan punën për zbardhjen e rrethanave dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të rastit.
Si rezultat i veprimeve hetimore u identifikua autori i dyshuar i plagosjes për motive të dobëta, shtetasi K. K., 31 vjeç, si dhe 2 bashkëpunëtorët e tij, shtetasit Gj. Ll., 36 vjeç dhe L. M., 45 vjeç. Punohet intensivisht për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit. Shtetasi i plagosur, J. H., është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Për autoritetet, Juxhin Hamajezi alias Juxhin Mumajesi tha se ishte një konflikt çasti për motive të dobëta, por emri i tij ka qarkulluar në media edhe më parë. Hamajesi nuk është i panjohur për policinë. Ai ka mbetur i plagosur në vitin 2018 pasi u qëllua me armë zjarri nga ish-efektivi Santiago Malko në lokalin “Enea” në zonën e Kinostudios. 34-vjeçari rezulton të jetë arrestuar edhe në qershor 2021 i dyshuar për trafik klandestinësh sirinaë.
Si ndodhi plagosja e Juxhin Hamajezi alias Juxhin Mumajesi në 2018?
Ngjarja ndodhi në mesnatën e 27 qershorit. Mbi 15 të shtëna u raportua nga banorët e zonës se u dëgjuan asokohe në zonën e Kinostudios në Tiranë. Nga të shtënat mbetën të plagosur Rivelino Mumajesi dhe Juxhin Mumajesi, asokohe 24 vjeç. I plagosur ka mbetur edhe Ibrahim Durollari, i cili ishte në gjendje të rëndë për jetën. Policia asokohe shoqëroi 23 persona, por jo ish-policin Santiago Malko.
Ai u përfol në media, si personi që shtiu me armë dhe plagosi dy vëllezërit për prishje të pazareve të drogës, por kurrë s’u arrestua. Dyshohet se dy vëllezërit Juxhin dhe Rivelino Mumajesi i kanë pasur një shumë të konsiderueshme borxh disa personave të tjerë, por asokohe u raportua se policia po hetonte edhe për pistën e prishjes së pazareve të drogës mes dy grupeve rivale.