TIRANË- Apeli i GJKKO-së ka shqyrtuar sot ankimimin e Ilir Metës, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të caktuar ndaj tij. Seanca gjyqësore nisi në orën 10:00 dhe më pas GJKKO u tërhoqën për të marrë vendim, duke lënë në burg presidentin e PL-së.
Avokati i Ilir Metës, gjatë seancës gjyqësore, ka kërkuar një nga 7 masat e tjera të sigurisë, më të buta se “arrest në burg”, si arrest shtëpie, detyrim paraqitje, garanci pasurore, ndalim dalje jashtë vendit etj. Gjithashtu në seancë ishin të pranishëm dy prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi. Kreu i PL-së, më 7 Korrik, ankimoi vendimin e GJKKO-së që e la në qeli.
Më pas avokati i Ilir Metës ka komentuar vendimin e Apelit të GJKKO-së, duke u shprehur se “unë i fola gjykatës”. Kujtim Cakrani deklaroi se Ilir Meta është në kushtet e persekutimit, por theksoi se ai do të përballet me të gjithë dhe se nuk mposhtet kollaj.
"Presidenti ka 9 muaj në paraburgim, është e paprecedentë që Presidenti i Republikës të qëndrojë 9 muaj në paraburgim pa përfunduar hetimet. Po mbahet në kushtet e një persekutimi politik, ju e dini mirë se çfarë po heq ai sot në paraburgim ku i janë mohuar të drejtat elementare siç janë ato e ushtrimit të telefonatave me kolegët, apo anëtarët e Kryesisë apo familjes së tij. Meta është aty do të përballet me të gjithë, është një individ që nuk mposhtet kollaj. Meta do të vazhdojë të përballet me këta," tha avokati i Ilir Metës.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Monika Kryemadhi dyshohen se, duke bashkëpunuar mes tyre dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode duke nisur nga 15 vite më parë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private, si dhe në veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t'i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ.
Konkretisht, deputetja Kryemadhi po hetohej nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.