
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Gjykata e Tiranës i ka rrëzuar padinë për shpifje ndaj Lulzim Bashës. Përmes një postimi në platformën "X", Rama shprehet se gjykatës së çështjes ju deshën 7 vjet për të dhënë një vendim.
Në reagim kreu i qeverisë shprehet se ky vendim ka dalë nga një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve. Duke ironizuar ai thotë ky është një fakt "për të qarë e aspak për të qeshur", ndërsa shton se e bën edhe më të rëndë fakti tjetër që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese.
Rama më tej thotë se problemi këtu është se çfarë do të bëhet me çështje shumë më të rëndësishme të njerëzve, "që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!!"
Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!!
Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!
Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur - kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim! Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!
Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është farë çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh:-) Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!!
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë që kryeministri Edi Rama kishte bërë ndaj ish-kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kryeministri Rama e kishte paditur Bashën për shpifje dhe kërkonte që ai të paguante dëmin jo pasuror në vlerë 1 mln lekë, për një deklaratë të tij në tetor të vitit 2018. Por pasi shqyrtoi të dhënat, gjykata vendosi dhe rrëzoi padinë si të pabazuar në ligj dhe prova, teksa shpenzimit gjyqësore do të paguhen nga pala paditëse.