
Ndryshimet klimatike nuk janë më paralajmërime të largëta: ato tashmë po përjetohen në mënyrën më të dhimbshme nga miliona njerëz në të gjithë botën. Në Indi dhe Pakistan, vala e të nxehtit që përfshiu rajonin që në muajin prill solli temperatura përvëluese mbi 46°C, duke tejkaluar me 5 deri në 8 gradë normat sezonale. Mijëra njerëz u përballën me ndërprerje energjetike, mungesë uji, kolaps të të mbjellave dhe mbi të gjitha, rrezik për jetën.
Kjo nuk është një ndodhi e rrallë, por një realitet që përsëritet çdo vit, me intensitet më të lartë dhe me pasoja më të rënda. Ndërkohë, kontinente të tjera nuk janë më të kursyera. Viti 2024 ishte viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë edhe për Evropën, e ku Shqipëria nuk mbeti jashtë këtij trendi global. Temperaturat në vend tejkaluan me 1.5°C nivelet e mëparshme.
Përtej Atlantikut, SHBA po përjeton një krizë të heshtur ekonomike të lidhur drejtpërdrejt me klimën: sipas parashikimeve, një në pesë shtëpi në jug të vendit mund të humbasë deri në 40% të vlerës së saj për shkak të përmbytjeve dhe zjarreve gjithnjë e më të shpeshta.
Ndërkohë në Amazonë, shpyllëzimi agresiv nga rançerët lokalë po cenon ekuilibrin e gjithë ekosistemit botëror. “Mushkëritë e gjelbra” të planetit po rrallohen, duke vënë në rrezik jo vetëm biodiversitetin por edhe aftësinë e tokës për të përballuar krizën klimatike.
Në këtë panoramë të errët, ku ngrohja globale, ndotja plastike dhe humbja e natyrës së egër po shtohen, nevoja për veprim bëhet gjithnjë e më urgjente.
Në këtë sfond të sfidave të mëdha mjedisore, Çmimi Goldman për Mjedisin shërben si një dritë shprese dhe frymëzimi për aktivivizmin dhe mbrojtjen e natyrës. Ky çmim vjetor, i njohur si "Nobeli i Gjelbër", nderon aktivistët mjedisorë lokal, që kanë bërë ndryshime të mëdha në komunitetet e tyre. I themeluar në vitin 1989 nga filantropët Richard dhe Rhoda Goldman, çmimi synon të njohë dhe të mbështesë përpjekjet e individëve të zakonshëm që përballen me rreziqe të jashtëzakonshme për të mbrojtur planetin.
Çdo vit, fitues nga gjashtë rajone kontinentale të banuara të botës nderohen për veprimet e tyre të guximshme dhe transformuese. Pas identifikimit dhe nominimeve, ata përzgjidhen nga një juri me ekspertë ndërkombëtarë. Ceremonia e këtij viti (2025) do të mbahet më 21 prill, në prag të Ditës së Tokës, në San Francisko, aty ku do të zbulohet më shumë mbi historitë frymëzuese të heronjve të mjedisit. Fituesit e vitit të kaluar ishin Marcel Gomes nga Brazili, Andrea Vidaurre nga SHBA, Murrawah Maroochy Johnson nga Australia, Sinegugu Zukulu dhe Nonhle Mbuthuma nga Afrika e Jugut, Alok Shukla nga India dhe Teresa Vicente nga Spanja.