TIRANË- Deputetja demokrate, Ina Zhupa përmes një postimi në "Facebook" ka reaguar në lidhje me ndryshimet në Kodin Penal. Zhupa shkruan se këto ndryshime vendosin censurë dhe godasin lirinë e shprehjes. Ajo më tej shton se ndryshimet janë të ngjashme me vendet e diktaturës.
Sipas saj ndryshimet e bëra në lidhje me drejtësinë cënojnë gazetarët si dhe qytetarët në pretendimet e tyre për vendimet që do merren nga drejtësia. Zhupa shtoi se edhe ndryshimet që lidhen me publikimin e informacionevë lidhur me një operacion ose hetim në proces prekin drejtpërdrejt mediat.
Deputetja thekson se liria e shprehjes dhe e drejta e informimit janë bazat e një shoqërie demokratike dhe të lirë. Sipas saj këto ndryshime janë të papranueshme dhe do të kundërshtohen me forcë.
Kodi i Ri Penal që u prezantua të premten ku parashikohen masa të reja ndëshkuese për ata që zbulojnë të dhëna sekrete. Këto të dhëna kanë të bëjnë me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Ndryshimet e kodit penal vendosin censurën, godasin lirinë e shprehjes, edhe cënojnë gazetarët në ushtrimin e profesionit. Qeveria ka vendosur të ndryshojë në mënyrë rrënjësore Kodin Penal, një nga elementët më shqetësues janë nenet që prekin direkt lirinë e shprehjes për gjithë shoqërinë dhe profesionin e sigurinë e gazetarëve në vecanti.
Nene autokratike, të ngjashme me vendet diktatoriale parashikohen në kodin e ri penal.
Së pari, neni 536, i cili ka të bëjë me drejtësisë, në fakt synon të censurojë edhe pretendimet e çdo qytetari dhe kryesisht të gazetarëve për të komentuar veprimet e drejtësisë. Neni i ri 536 parashikon dënim me burg për komentet para dhënies së një vendimi gjyqësor që synojnë ndikimin në aftësinë e gjykatës mbyll plotësisht mundësinë të çdo analize apo kritike të pavarur që ka në fokus proceset gjyqësore, sidomos ato me interes publik.
Duket qartësisht që kodi penal është bërë mbi shënimet e fjalimeve të Edi Ramës kur shprehet qe ne nuk komentojmë për drejtësinë, po ska asgjë me standartet perëndimore, me konventën të drejtat e njeriut dhe me kushtetutën e Shqipërisë. Së dyti dhënia e informacioneve të rëndësishme që lidhen me operacione arrestimesh, vendndodhje dokumentesh apo personash, ose ngjarje kriminale, sipas Kodit të ri Penal, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Neni 517 ndalon ‘dekonspirimin’ e operacioneve policore dhe hetimeve, duke prekur drejtpërdrejt punën e mediave, veçanërisht në rastet e investigimit. Kur një gazetar publikon informacion lidhur me një operacion ose hetim në proces, ligji tashmë e përkufizon si dekonspirim.
Paragrafi 4 i nenit thotë: “Publikimi me çfarëdolloj forme i akteve të përmendura (…) shton dënimin deri në një të tretën e tij”. Aktualisht ka vetëm një nen në Kodin Penal, por që nuk është specifik për publikimin e të dhënave sekrete. Mirëpo tani është futur ekzaktësisht termi ‘publikim’, që duket se minon punën e gazetarëve.
Të dyja këto ndryshime janë të ngjashme vetëm me kodin e heshtjes “omerta” që i nevojitet mafias për të kontrolluar territorin dhe për të ruajtur pushtetin në qetësi. Liria e shprehjes dhe e drejta e informimit janë bazat e një shoqërie demokratike dhe të lirë. Janë totalisht të papranueshme dhe do të kundërshtohen me forcë, si jashtë çdo standarti.