Polici i burgjeve Fatjon Baci, i dyshuar si i lidhur me një incident gjatë shoqërimit të kryebashkiakut Erion Veliajt, ka marrë dje njoftimin zyrtar të akuzës nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ndërkohë është zbardhur dhe dëshmia e tij para organeve të drejtësisë. Baci ka shpjeguar se Veliaj i ka kërkuar dhe ka aksesuar aparatin e tij telefonik para mbërritjes në SPAK dhe pas daljes së tij nga ambientet ku u njoh me vendimin.
Ai ka thënë se Veliaj ka bërë dhe një telefonatë me vëllain dhe një tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin. Polici raportohet të ketë thënë se e ka dëgjuar Veliajn që po qante.
“Sa kemi kaluar shinat, në vendin ku ka qenë një Pazar që shiteshin gjëra të vjetra, Erioni më kërkoi telefonin që të bënte një telefonatë. Unë ia dhashë, dhe foli më vëllanë e tij. Këtë gjë e di se e kam verifikuar më vonë. Nuk i mbaj mend detajet e tjera, por di që ka bërë dhe një telefonatë tjetër me bashkëshorten e tij, ku i tha që të kujdesej për djalin dhe unë dëgjova Erionin që po qante. I thoshte që nuk është e drejtë që djali të rritet vetëm, nuk i kam bërë keq njeriu, nuk ka të mirë për të mirin", raportohet të ketë dëshmuar polici.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi "detyrim paraqitje".
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.